Si te gatuajme gliko arre – Receta gatimi për gliko arre. Për të përgatitur gliko arre veprojmë në këtë mënyrë: I qërojme arrat një nga një dhe i vëmë në një enë me ujë. Ndërrohet uji përditë për 8 ditë rresht. Pas 8 ditësh hollojmë pak gëlqere në një enë kaucuku ku brenda hedhim arrat e qëruara dhe i lëmë 2 orë. Pas dy orësh i shpërlajmë. I lajmë arrat mirë e mirë, i shpojmë me pirun dhe i ziejmë. Do ti ziejmë shumë herë duke ju ndërruar ujin. E përsërisim këtë proces derisa arrat të zbuten. Mbasi janë zbutur arrat i marrim dhe i hedhim në kullesë të kullojnë. Hedhim sheqerin me ujin në enën që do bëjmë glikonë. Pasi ka zier shërbeti ku më parë kemi hequr shkumën që del nga zierja, hedhim arrat e zbutura dhe i përziejmë sa të marrin të gjitha arrat shërbet. Hedhim lëngun e limonit të holluar në një gotë me ujë. Ndërsa trashet lëngu fusim brenda karafilin dhe drurin e kanellës të mbështjellë me një napë. Pasi marrin një valë, e heqim napën nga tenxherja. Hedhim limontozin 5 minuta para se të mbarojë zierja duke llogaritur 3 gr limontoz per 1 kg gliko. Mbushim kavanozat ndërsa receli është akoma i nxehtë. Pasi është ftohur mbyllim kapakët e kavanozave. Ju mund ti mbushni edhe me arra.
Përgatitja e gëlqeres.
Marrim 3 lugë gjelle me gëlqere dhe e tresim në ujë derisa të shkrijë. Mbasi është tretur mirë gëlqerja e marrim dhe e hedhim në një kullesë të imët. Kullesa vendoset në një enë ku të derdhet uji i gëlqeres. Në ujin e gëlqeres hedhim arrat derisa ato të mbulohen. I lëmë aty 2 orë. Mbas dy orësh i kullojmë dhe i shpërlajmë mirë.
Përbërësit:
– për cdo 50 kokrra arra 1 litër e gjysëm ujë
– 2 kg sheqer
– karafil
– dru kanellë
– 1 kokërr limon (lëng limoni) i tretur në një gotë ujë
Ju bëftë mirë nga Sitegatuajme.Net!